Tri dashuri atërore në kohëra të turbullta: Virgjili, Tarkovski dhe McCarthy (01/03/2016)
Photographie (détail) de Juan Asensio.
Ce long article a été d'abord publié dans le deuxième numéro de la revue Pasqyra e te rrefyemit.
Ky tekst është publikuar për herë të parë në 2010.
“Midis të gjitha formave ideale (domethënë realiteteve honxhobonxho në gjendjen e tyre të dukjes sheshit dhe përmbushjes së plotë), kishte në to pra atë formën e veçantë të babait. Gjithçka dukej se shugurohej në raport me të. [Ky] fakt origjinal […] ishte më shpirtëror se shpirti, përthithte, le ta themi kështu, shpirtin dhe përmbushte vetminë. Krijonte një fuqi ‘legjitime’ që asgjë nuk mund të më bënte ta kundërshtoja. Një dashuri dhe një respekt i huaj për çdo parapëlqim më viheshin në dukje.”
Pierre Boutang, Politika (politika e shikuar si shqetësim) (Jean Froissart, 1948), fq. 22-24.
Të gjallët dhe të vdekurit tek Eneida
Devotshmëria është njëra nga ato gjërat shumë të bukura dhe fjalët shumë të lashta që, ngaqë nuk përdoret më, erret në harrim, kur kjo nuk gjendet tek qesharakja e përçuar në mënyrë të përpiktë dhe të shpejtë nga zelli i shkrimtarucëve. Cili prej këtyre dy puseve është më i thelli? Devotshmëria është një nga këto realitete zhdukja e të cilëve, për të ringjallur pohimin e trishtë që bënte Malraux, mund t`i shpjerë njerëzit aktivë e pesimistë në zhbërje si me dhunën fashiste. Një nga ilustrimet e tij më të larta na është dhënë pa asnjë dyshim nga Eneida e Virgjilit (1) që, ndonëse nuk është në origjinën e legjendës së Eneut (2), e ka përqasur epikën e tij madhështore. Episodi, që ka frymëzuar një numër të madh skulptorësh e piktorësh (3), më i famshmi i Eneut është, pius Aeneas, duke shpëtuar birin e tij Askanin dhe mbajtur në shpinë babain e tij Ankisin, nip i Laomedonit bir i Ilusit II dhe pasardhës i Dardanit, ai vetë bir i Zeusit dhe Elektrës, njërës nga vajzat e Atlasit. Një statujëz shumë e bukur me origjinë etruske datuar e gjysmës së parë të shekullit V para Jezu Krishtit paraqet Ankisin duke shtrënguar duart rreth qafës së të birit që e mban të ulur mbi supin e tij të majtë, kështu atë e bir përbëjnë një njeri të vetëm, çka mbase nuk është kurrsesi vetëm një e vërtetë metaforike. Kjo gjenealogji, megjithatë e thjeshtë, ilustron mjaft mirë për çfarë bëhet fjalë kur shkruajmë këtë fjalë të shkurtër të dashurisë atërore për të cilën flet gjatë: jo aspak aq shumë për atësinë apo birësinë, sa për idenë e një zinxhiri të gjatë të artë duke u shtrirë përgjatë shekujve dhe duke u dhënë atyre historinë mërshore dhe kujtesën për bindjen e detyrës për nderimin e kësaj atësie e birërie, siç e kërkon Eksodi (15,12) e risjellë në kujtesë nga Shën Pali (Ep 3, 14-19: “Përulem në gjunj para Atit të Zoti Tonë Jezu Krishtit prej të cilit çdo atësi, në qiell e në tokë, mban emrin e tij”), ku bëhet fjalë për atin e tij të vërtetë dhe atin e atit të tij ose të shumë zotave, të Zotit, atit veçanërisht Biri i të cilit është artizani, mbartësit e të cilit jemi, të vegjël a të mëdhenj nëse do ta parafrazonim fjalorin e budizmit.
Kujtojmë se fjala latine pietas tregon ndjenjën që bën të njohim dhe përmbushim detyrat ndaj zotave, besnikërinë, detyrat ndaj prindërve dhe atdheut duke qenë veçse zgjatje e kuptimit të parë, jashtëzakonisht besimtar, përfshirë aty në botën romake që i ngrinte kult të parëve, sidomos të vdekurve të dashur (ose të urryer por të respektuar). Nëse episodi i Eneut duke mbajtur të atin në shpinë, duke ia mbathur nga qyteti në flakë i Trojës, është ose do të duhej të jetë i njohur nga të gjithë, vetëm më të kultivuarit e lexuesve të Virgjilit kujtohen se kënga e pestë e Eneidës gjallon ritet mortore të caktuara nga Eneu në nderim të atit të tij (4) dhe që kënga e gjashtë e Eneidës tregon saktë dhe me hollësi për pjesën e saj zbritjen, në fund të Erebesë, perandoria e paqëndrueshme e Plutonit, e birit të përvëluar për ta parë sërish të atin të paralizuar nga Jupiteri qyshkur ai ka zbuluar dashuritë e tij me Venusin. Disa mbase pikërisht nga këta lexues nuk e dinë kurrsesi se është motivi i devotshmërisë që u jep dymbëdhjetë këngëve virgjiliane bashkë njësinë e tyre, që është përsëri ai që përafron tekstin virgjilian me dy kryeveprat e Homerit, Iliadën dhe Odisenë. Kështu komentuesve të panumërt u ka bërë përshtypje struktura në dy pjesë e veprës së poetit nga Mantova, kremtimi i aventurave të heroit gjatë gjashtë këngëve të para mandej gjatë gjashtë të tjerave betejat e ashpra të tij për të ndërtuar në Latium një Trojë të re, Romën sigurisht, të denjë për lavdinë e dikurshme të qytetit të vjetër të shkatërruar nga grekët. “Trojani Enea, i famshëm për dashurinë për atin dhe armët e tij” shkruan Virgjili në këngën e gjashtë të Eneidës, secila prej këtyre dy cilësive duken të pandara nga njëra-tjetra. Devotshmëria, në fakt, nuk mungon absolutisht në betejat e përgjakshme e madje disa sakrifica (5) që shkrimtari përshkruan, sikur ajo të mos ishte kurrsesi në kohën e ritit të varrosjes së të vdekurve të rënë në luftë në këngën XXIV të Iliadës, meqë në këngën e njëmbëdhjetë të Eneidës që është vendosur një pushim i shkurtër për të varrosur të shtrenjtët e rënë në luftë nga të dyja anët, kur Enea shqipton një laudatio funebris mbi trupin pa jetë të Pallas, bir i Arkadian Evandrit, besëlidhës i trojanit në luftën e tij kundër latinëve. Disa rreshta më përpara, në fund të këngës së dhjetë, ky Enea i vetëm nuk kishte provuar të zhbindë Lausin për ta luftuar, ndërkohë që ky i fundit ziente të ndërfutej mes babait të tij, Mezenzit, besëlidhës i Latinit armikut të Eneas dhe tërbimit të luftëtarit të madh të dikurshëm për pasardhësit artistikë të gjithë Perëndimit? I riu Laus vdiq, i vrarë nga Enea ndërkohë që babai i tij, pak kohë më përpara se të vdesë në radhën e tij nga goditjet e Trojanit, do të qajë birin e tij të vdekur duke përdorur një shëmbëlltyrë që të lë pa mend: “Unë, babai yt, ia detyroj shpëtimin tim plagëve të tua, dhe jam në jetë nga vdekja jote”. Babai duke jetuar nga vdekja e birit të tij, ç'është e vërteta, gjatë gjithë kohërave, qe një nga goditjet më të pakuptueshme e të tmerrshme të fatit që mund t`i jetë dhënë një burri për të duruar.
Theodor Haecker, në një vepër të rëndësishme kushtuar kryeveprës së Vigjilit, shkruan, duke kujtuar zbritjen e Eneas në Ferr, këta rreshta të artë për temën e devotshmërisë së heroit, që Alain Badiou-së do t`i ishte dashur të bluante para publikimit qëllime të ngushta për universalitetin e pretenduar të “diskursit të Birit” kur është lehtësuar nga partikularizmi i neveritshëm që has në vepër në diskursin e Atit (6). Kundër broçkullave të të pafeve (në kuptimin e parë të kësaj fjale) të këtij lexuesi mendjengushtë siç është Alain Badiou, le të bëjmë të njohura disa qartësi mbi njeriun duke patur birin dhe atin, duke nderuar kujtimin e njërit dhe duke i mësuar tjetrit kujtimin dhe kultin e të parëve, krejt siç ata ndriçojnë tekstin e Virgjilit sipas Haecker : “I devotshëm, Enea është në mënyrë origjinale në cilësinë e tij të ‘birit’. Dashuria për prindin romak është tek ai në shtëpi të vet. Të jesh i devotshëm, do të thotë të jesh djali që do që të kryejë detyrat. Të duash të kryesh apo përmbushësh detyrat e tua nga dashuria shenjëzon të jesh i devotshëm. Vetë ai baba dhe paraardhës i Cezarit dhe Cezar Augustit, Enea shikon tek biri i tij dhe tek biri i birit të tij të parët dhe etërit e birit që janë të devotshëm kundrejt etërve të tyre dhe të parëve të tyre. Raporti i dyanshëm mes atit dhe birit me përparësinë e atit është themeli i dashurisë virgjiliane për prindin. Jo për të dashurën, jo për të rrëmbyer mbretëreshën, jo nga vështrimi i një veprimi heroik, por për atin e tij që Enea zbret në perandorinë nëntokësore deri në fushat e Champs-Élysées, ku i ati e ngjatjeton duke qarë.”[krh. Eneida, 6, v. 687-696]» (7).
Sakrifica e atit themelon bashkësinë e të gjithë të gjallëve
Filmi madhështor i Tarkovskit i titulluar Sakrifica do mund të ishte njëra nga ilustrimet më bashkëkohore nga më të shquarat e dashurisë atërore. Historia e treguar në këtë vepër të adhurueshme është shumë e njohur: në këmbim të kthimit të rrjedhës së ngjarjeve në normale, domethënë një ditë para shpërthimit të luftës atomike, një baba i një familjeje dhuron si sakrificë shëlbuese shtëpinë e tij që e djeg me duart e veta, braktis të vetët, heq dorë nga biri i tij i adhurueshëm, i premton më në fund Zotit për të mos folur kurrë më asnjë fjalë të vetme, me qëllimin sidomos për të mos provuar të shpjegojë gjestin e tij. I shpallur i çmendur, do të çohet manu military në një azil, duke patur kohën të vërtetojë që bota që ai ka shpëtuar me gjestin e tij sidomos të pakuptueshëm për sytë e të afërmve të tij është kthyer në rregullsinë monotone të ditëve të tij të qeta, të grisura megjithatë, para se të kryejë dhurimin e tij, nën zallahinë e madhe të bombave dhe ulërimave të avionëve që përshkojnë qiellin. E pabesueshmja, kjo lufta e fundit ku nuk do ketë fitimtarë dhe humbës, ndodhi. Mrekullia, kthimi në normale ose më tepër, në një botë të ndryshuar në mënyrë të pakapshme meqë një njeri ka mbajtur premtimin e tij, zë vend tek ai gjithashtu.
Nuk është pra e zmadhuar të pretendojmë që Sakrifica na përshkruan, me një ekonomi mjetesh të habitshme, një univers të ditës së mëpasme, botën që gjendet përtej shkatërrimit. Disa skena të tmerrshme të rrugëve të rrënuara dhe turma të tmerruara nuk mund të mos na tregojnë zemrën e territ, prej ku ujtis armiku i vetëm që vë, tek personazhet e ndryshme, maskën e tij të shtrënguar. Është Aleksandri që e tregojnë me emër, dhe madje, duke e thirrur, ngadhënjyes, çastin kur ai lutet: frika jonjerëzore, kafshërore, që kërcënon të shkatërrojë arsyen e të mbijetuarve shumë më thellë se e bëjnë apo do ta bëjnë bombat. Kundër saj, kundër perandorisë së saj që shtrihet që Aleksandri lyp ndihmën e Zotit, i cili do ta përmbushë përbetimin e tij pasi, duke ndjekur lutjet e njëpasnjëshme të mikut të tij fabrikuesit Otto, do të ketë bërë dashuri me Marian, njërën nga dy shërbyeset e tij që, sipas fjalëve (rrëfyer nga i njejti Otto, amator historish të çuditshme mbi të cilat ai heton), ka disa pushtete të jashtëzakonta, në këto rrethana, siç duket të na e sugjerojë realizuesi, dhuntinë, aq të rrallë e të thjeshtë, për të dashur. Përfundimisht, gjenia e Tarkovskit a nuk është për të na sugjeruar se shkaku real i apokalipsit, më pak se çmenduria e një teknike të bërë shkatërruese nga të qenit instrumentalizuar nga njerëzit, qendron tek ligësia, mosbesimi, tek përçmimi, prej të cilëve Maria e përulur është viktima e parë madje mu në gjirin e shtëpisë së Aleksandrit ? Realizuesi rus a nuk kishte guxuar të linte të kuptohej me shkathtësi se njerëzit që stalker shoqëronte në Zonë ishin të paaftë për t`i mbajtur përbetimet e tyre më të fshehta për të vetmen dhe uniken arsye ngaqë ata vinin aty pa gëzim, të zhgënjyer, të dëshpëruar madje, për t`ia mbathur mjerimit të tyre shumë më tepër se ishin të etur për ta zbuluar të vërtetën?
Aleksandri nuk do të ketë patur kohë, para se të jetë dërguar larg të vetëve, për ta dëgjuar zërin e birit të tij, i quajtur Djali i Vogël, që mbetet me këmbëngulje memec deri në të gjitha skenat e fundit të filmit (8), kur, nën pemën që ai ka mbjellë me babain e tij dhe që këmbëngul për ta ujitur, do të shqiptojë fjalët e para të ungjillit sipas Shën Gjonit, duke i drejtuar babait të tij Aleksandër të shpallur i çmendur një pyetje që do të mbetet pa përgjigje, pema duke mbetur e thatë meqë mrekullia e kthimit ka ndodhur tashmë. Në njëfarë mënyre, Tarkovski lë në hije faktin për ta ditur nëse parabola që Aleksandri i tregon birit të tij në fillim të filmit do të realizohet, nëse pema do të përfundojë duke lulëzuar përsëri ngaqë, çdo mëngjes në orë të caktuar, me këmbëgulje dhe devotshmëri, një njeri do të ketë ardhur për ta ujitur pavarësisht rrethanës: një pemë e vdekur nuk mund të çelë prapë gjethe. Mbase, veç kësaj, njëra dhe tjetra mrekulli, lulëzimi i pemës së tharë, i shpresuar më shumë se i provuar dhe kthimi në normale, ashtu siç lufta përfundimtare nuk kishte ndodhur ende, nuk janë tjetër veçse dy ëndrra. Sakrifica e pranuar nga Aleksandri do të ishte pra e rremë?
Nëse dyanësia, shumë e shtrenjtë për modernët, ekziston në mënyrë të pavënë re tek Sakrifica (krejt siç ekzistonte tek Stalker, krejt siç ajo është shenjë e shumë veprave të mëdha, me të vërtetë të hapura në pafundësi për interpretime), ky lexim relativist nuk mund të na përshtatet: akti i besimit i çuar në inkandeshencën e saj dhe bërë mrekulli, si përfundim, thellon realitetin dhe thyen të gjitha shtrëngesat e rishfaqjes mendore. Duke rivendosur natyrën në rrjedhën e tij, duke vënë me një fjalë gjërat në vend, mrekullia, me mëshirën e saj të plotë që e shenjon, nuk mund të kihet frikë nga rrugët e vetme të shpjegimit racional ose nga të tjera që, duke ngjallur me shumë kujdes mundësinë e të çuditshmes apo të mbinatyrshmes, duke i mëshuar fort in fine racionalitetit më të përgjithshëm. Shpjegimi me mënyrën e dyanësisë, madje të mistershmes, është një truk i vogël që do t`ua lëmë amatorëve të gjëegjëzës, që pyesin veten ende për të ditur, për shembull, nëse atë Donisani, prifti i thjeshtë dhe i gdhendur keq i romanit të parë të Bernanos, ka takuar realisht ngasësin e tij nën rreckën e një xhambazi ose nëse truri i stërmunduar i shenjtit të ri të Lumbres që nuk i ndahet vizioni i të keqes ka bërë vetëm që ta ëndërrojë këtë takim. Meqë autori, ku bëhet fjalë për Bernanos apo Tarkovskin, ka paraqitur në romanin e tij ose në filmin e tij dyndjen e menjëhershme pikëlluese të së mbinatyrshmes, nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse për ta pranuar sikur përfshihej mrekullisht në thurimën e reales, e të përditshmes më të varfër. Kështu, tek Stalker, është vetë vajza e vogël e ciceronit që gëzon pushtete të jashtënormales, sikur Tarkovski kërkonte të na tregonte se jeta e përditshme dhe monotonia e saj e përsëritshme është prej një pasurie të padyshimtë, kërkimi i Zonës së mistershme duke mos qenë tjetër në fund të llogarisë veçse përshkrimi i pasqyrës së apostullit, përmjet të cilës nuk këqyrim tjetër veçse gjërat dhe qeniet të shformuara dhe të errësuara. Duke u kthyer nga Zona që ne, spektatorët, sikur të na jenë hapur sytë, mundim më në fund të shohim realitetin që na tregon Tarkovski.
Në të vërtetë, mrekullia që Aleksandri ka kërkuar me lutjen e tij nuk ka prishur asgjë, meqë futet përsosmërisht në këtë ditë të re të paspikatur, të rëndomtë dhe madje të padëgjuar, të personazhit, sjellja e tij për më pak të çuditshmen duke mos qenë asgjë tjetër, në sytë e tij, veçse unikja, e drejta, pra mënyra e devotshme për të mbajtur betimin që nuk e ka bërë para asnjë qenie njerëzore. Nëse dashuria ndaj prindit është e mrekullueshme, mbase ngaqë shenja e saj e vetme dalluese është të jetë plotësisht e parëndësi, pakëz më e theksuar se fakti i ujitjes, ditë pas dite, të një peme, një gjest i thjeshtë, na thotë Aleksandri, si ai i të pirit e një gote uji në zgjim. Devotshmëria nuk mund të jetë tjetër veçse punë e më të mëdhenjve, e njerëzve më kërkues, e më të fortëve gjithashtu, e atyre që qëndrojnë sypatrembur, meqë ajo e ndërton autoritetin dhe pushtetin e saj mbi atë që askush nuk mund as di ta shohë, meqë autoriteti i saj është pranim i dhuntisë të plotë, sakrificë, dhe shfaqja e saj më e përgjithshme, e veshur me gjeste gënjeshtare të cilave askush nuk ua kupton shenjëzimin, duke u futur në thurimën e orëve të mërzitshme dhe të ngadalta, është dhe nuk mund të jetë ndryshe veçse e pakuptueshme për sytë e atyre që rrethojnë njeriun e devotshëm që, dora-dorës zhbëhen rrotull tij lidhjet e lashta duke bashkuar botën e njerëzve me universin e shenjtë të zotave, do të jetë i marrë përherë e më shumë si një i çmendur i shkretë, një vegimtar goja e të cilit murmurit një lutje drejt një qielli të zbrazët.
Në veprën e Tarkovskit, është pra devotshmëria e babait, e vetmja për t`u patur dhënë besimin fjalëve dhe veprimeve të një gruaje të flakur tej nga shoqëria dhe magjistareje të dëgjuar, që shpëton birin e saj dhe ngre një bashkësi shpirtërore kundër gllabërimit të ngadaltë dhe të sigurt të shpirtit nga të mirat materiale. Duke u sakrifikuar, duke qenë njëherësh i sakrifikuar dhe sakrifikuesi, njeriu harron veten, i kushtohet tjetrit, birit të tij sigurisht por gjithashtu të gjithë të tjerëve, që nuk do të dinë asgjë për veprimin e tij dhe, po ta njihnin, do talleshin me të sipas të gjitha gjasave. Kundër zvarritjes të pafundme të raportimit universal, akti i besimit është, në thelb, absolutja e pabotueshme. Kështu Aleksandri, kur është i mbyllur në ambulancën që po e shpie në azil, largohet, mbase, nga xhami, që i biri të mos e shohë dhe që kështu, mrekullia mbetet e mbyllur madje tek njeriu që është më i shtrenjti për sytë e babait, i biri. Zhdukja e babait që për të nderuar premtimin e tij duhet të ruajë qetësinë, për t`i lënë birit të tij një botë në paqe duhet të largohet pak prej tij, ndreq baraspeshën por me kushtin e vetëm që të jetë, Aleksandri, i pakuptueshëm nga të tijët dhe tmerrësisht i urryer nga bota, për të cilën ka vendosur të sakrifikohet.
Kjo vrasje simbolike e babait që bën të kthehet bota e shkatërruar në atë çka ishte para shkatërrimit është e kundërta e asaj të mbretit Dunkan nga Makbethi në pjesën më të errët të Shekspirit. Duke këqyrur mirë filmin e Tarkovskit, duhet pra thjesht, si pretendon Pierre Legendre, të ngjallim një sakrificë vetjake që nuk do jetë tjetër veçse kopja e zbehtë e të lashtëve “ritet e mëdha sociale, fetare apo jo, për ta vënë Atin mitologjik në vendin e vet”, të cilat “do të jenë të prishura”? (9) Besoj në të kundërt se vetëm akti vetjak, i kryer me devotshmëri dhe me besim por gjithashtu, të mos e lëmë pas dore këtë pikën e shpjeguar nga Aleksandri derisa ai mbjell para të birit pemën e vdekur, me një përpikmëri të ngulmët të gjesteve më të thjeshta, është i aftë për të shpëtuar botën, ndonëse kjo e fundit nuk di asgjë dhe nuk do t`ia dijë sidomos për atë që ai ka shpëtuar dhe atë që ka bërë për ta shpëtuar, ashtu siç bota ka hedhur fëmijën që sa ka lindur, e soditur vetëm nga prindërit e tij dhe tre mbretërit e ardhur për ta adhuruar (10), ashtu siç bota do të hedhë, disa vite më vonë, Birin që sakrifikohet që njerëzit, mbase, të mos harrojnë aspak çka Ati i tyre u ka dhënë.
Biri dhe mbrojtja e babait: devotshmëria si arkë fjale
“I ftohti dhe heshtja. Eshtrat e botës së ndjerë të flakura andej-këndej në boshllëk nga erërat e ftohta dhe profane. Të flakura larg dhe të hapërdara e të hedhura edhe më larg. Çdo gjë e ndarë prej themelit të saj” (11). Ndarje më tepër se lëkundje, e çjerrë ontologjike mbase e pandreqshme: bota e thyer, pa themele, pa dritë, e nënshtruar erërave të akullta që romani i Cormac McCarthy na përshkruan me një ekonomi të shquar mjetesh dhe njëri prej më të frikshmëve, pa dyshimin më të vogël, të cilit letërsia i ka dhuruar fuqinë e saj të përjetimit (12). Tek Rruga, terri, pothuaj i prekshëm (13), nuk lajmëron, si tek poema e Ëilliam Butler Yeats e titulluar The Second Coming, kthimin e Krishtit (14). Zoti nuk është më (është i vdekur, i arratisur, i fshehur apo thjesht i eklipsuar?), dhe të mbijetuarit janë profetët e tij (15). Çka vërejmë mund të duket rrënjësore, humbja e njeriut të mbaruar përfundimisht. Nga vjen atëherë siguria se ky roman mugëtire është pa dyshim njëra prej dëshmive më tronditëse të shpresës që na është dhënë për ta lexuar?
Cormac McCarthy është shkrimtar për më pak të maturin sa u përket burimeve dhe ndikimeve të tij artistike (i njohim megjithatë një admirim të madh për Dostojevskin, Melville e Faulkner); mbase ta ketë shikuar filmin e Andrei Tarkovski ndonëse çështja e një ndikimi të drejtpërdrejtë si përfundim ka shumë pak rëndësi (16). Në mënyrë të pamohueshme megjithatë, Rruga paraqet disa pika të përbashkëta me kryeveprën e kineastit rus, ndonëse ndodheshim në një përmbysje të situatës së përshkruar në film, meqë, megjithëse babai jep jetën për djalin e tij, është pikërisht ky i fundit që duket se tregon kujdes për t’et, gjer në vdekjen e këtij të fundit, në të gjitha faqet e sprasme të kësaj vepre ngashnjyese. Kjo vdekje krejt e afërt sa babai, i sëmurë, e di pashmangshëm, është nga ana tjetër i nderuar në mënyrë të devotshme nga i biri që do t`i kërkojë një të panjohuri ta varrosë vullnetarisht (17), që kufoma të mos shqyhet nga të mbijetuarit e uritur, në këtë botë të shkatërruar ku njeriu, kthyer në kafshë e më pak se kafshë, ha të ngjashmit. Një bir që, sipas babait, është ruajtësi i zjarrit, mishërimi i fundit, mbase, ngaqë babai, për shembull kur diskuton me një burrë të moshuar endacak, vlerëson të jetë me origjinë të mbinatyrshme, që rrjedh nga Zoti (18), së paku nga një kërkesë e shenjtë që rreket, me gjestet më të thjeshta, të ndreqë: “Me këmbë zhvendosi disa vende në rërë për këllqet dhe supet e të voglit në vendin ku do të shkonte për të fjetur dhe ulet duke qendruar përballë tij, duke shprishur flokët për t`i tharë afër zjarrit. E gjitha kjo si një bekim i lashtë. Ashtu qoftë. Ngjall format. Kur nuk ke ndërtuar asgjë tjetër veç ceremonive duke filluar nga asgjëja, dhe i gjallëron me frymën tënde.”(fq. 68).
Sidoqoftë, Rruga duket, krejt si filmi i Tarkovskit, i nënshkruar në rrymin e gjatë të historisë së Abrahamit që çon birin e tij në malin Moria për t`ia sakrifikuar aty Zotit (në Gjenezë, 22) por ky mbishkrim është përmbysje meqë babai jep jetën për fëmijën e tij në të njëjtën kohë që shkrimtari bën të zhduket në natë nëna e të voglit, disa vite pasi bota është shkatërruar, pa u vonuar mbi arsyet që e kanë shtyrë këtë grua të re të heqë dorë dhe braktisë de facto fëmijën dhe burrin e saj në një botë ku vdekja pareshtur kërkon dikë të përlajë. Historia e pranimeve të fjalës devotshmëri, në gjuhën franceze, duket si përfundim t`i përshtatet mrekullisht përmasës më eksplicite të veprave të Tarkovskit dhe McCarthy meqë kjo fjalë, larg kufizimit në kuptimin e parë të saj i ilustruar në mënyrë të adhurueshme nga letërsia antike, ka kaluar në gjuhën emblematike, duke treguar në mënyrë kolektive të vegjlit e pelikanit që hap gjirin (1752), vetë pelikani (1762) dhe, si metonimi, bulat e gjakut që duken të dalin nga gjoksi i pelikanit kur ato janë nga një smalt tjetër (1812).
Babai të cilit romancieri nuk ia thotë emrin, çka fundja nuk është e çuditshme në një botë ku gjuha fshihet (19) dhe nuk duket të mbijetojë më përveçse në format e saj më të poshtëruara (20), ka përmbushur detyrën e vet duke mbrojtur birin e tij nga bandat endacake dhe kanibale, ndërkohë që nëna, siç na e sugjeron McCarthy, është, ajo, e shpërfytyruar nga ngarkesa e saj për babain dhe ka rënë në dëshpërim. Kështu, ky personazh që përfundimisht, si Aleksandri, flet pak, ka mundur t`i japë krejt kuptimin e vet fjalës, i kapitur në botën në rrënoja që përshkruan McCarthy, ku fjalët zhduken me gjërat që i quanin në realitet, dikur, para se katastrofa të shkatërrojë tokën e bërë shterpë, duke u errur ngadalë në nemitjen jonjerëzore të shkretëtirave. T`i japësh krejt kuptimin e vet fjalës do të thotë të mësosh të heshtësh ose, siç e thotë Aleksandri, t`i prapsësh diskurset e bukura, makinën hidraulike të këtyre fjalëve të panumërta që i shkaktonin marramendje Hamletit. Në gjirin e saj do mund të thonim, devotshmëria pranon shpresën, meqë ajo është roje e të shkuarës dhe besim i përjetshëm tek e ardhmja. Duke mbetur besnik me çdo çmim, duke mbajtur shpresën dhe kërkuar dritën në terrin që ka mbulur tokën shterpë, babai ka nderuar kështu kuptimin madje të asaj çka duhet të jetë një njeri: një qenie që nuk mund të vendosë për të braktisur të ngjashmit.
Kështu përsëri, në një botë të shkatërruar nga një teknologji e kaluar në çmenduri, dy baballarët, në filmin e Tarkovskit dhe romanin e McCarthy, kanë mundur t`u rijapin kuptim gjesteve të tyre më të lashta (21), njëherësh familjare, shpirtërore dhe gjithë këtë pafajësinë të cilën Aleksandri sodit në ikonat e riprodhuara në një vepër që miku i tij doktor i ka dhuruar. Këto gjeste të thjeshta, të përditshme, në të njejtën kohë që krijojnë kohëra ndarjeje dhe rituali në një botë ku njerëzit janë ribërë ujqër, shugurojnë universin me anën e përsëritjes që ka zënë vend dhe që është ritëm e harmoni. Këto gjeste të thjeshta, ndonëse, të ndara nga kuptimi i tyre i parë, duken të papërfillshme (22), që mishërojnë devotshmërinë dhe i përqasin peshën e tij të thjeshtë të mishit, riendin realitetin e shkulur nga gjuha, rindërtojnë me durim arkën e fjalës që njerëzit kanë plaçkitur dhe profanizuar, rindërtojnë, në fund të fundit, bashkësinë e të gjallëve por dhe atë të vdekurve, meqë devotshmëria, tek Eneida, Sakrifica dhe Rruga, shtrin mbrojtjen e saj gjer tek ata që një fjalë e mistershme ungjillore na urdhëron për t`i braktisur.
Shënime
(1) Kam përdorur botimin e publikuar në 2004 nga Livre de Poche, me përkthimin e Maurice Lefaure i rishikuar nga Laigneau.
(2) Dionis Halikarnasi është kështu autori grek, në fund të shekullit I, varianti më i rëndësishëm i këtyre varianteve paravirgjiliane të legjendës së Eneut.
(3) Si Van Loo, piktor i një Eneu duke mbajtur Ankisin në 1729 dhe Girardon (rreth 1700-ës), autor i një masivi mermeri monumental që zbukuron oborrin Marly të Muzeut të Luvrit.
(4) Frymëzuar nga ritet mortore të organizuara në nderim të Patroklit në fund të këngës XXIII të Iliadës.
(5) Tetë viktimat janë sakrifikuar kështu në këngën X, një numër i papërcaktuar në këngën pasuese, për të qetësuar shpirtrat e vdekur të Pallas.
(6) Alain Badiou, Shën Pali, krijimi i universalizmit (PUF, 2004), fq.46 : “Që referenca të jetë biri dhe jo ati, na urdhëron shprehimisht për të mos i besuar më asnjë diskursi mjeshtëror.” Për Pierre Legendre, është a contrario postulati i atit që krijon legjitimitetin e birit, siç e përmend në një tekst prezantues ku ngjall figurën e Antikrishtit: “Skenari antikrisht i pseudo-Birit ngre si hipotezë paraprake shfuqizimin e Atit; në një shikim antropologjik, ai ftillon çka është moslegjitimiteti: zhdukjen e atit”, tek Jean-Robert Armogathe, Antikrishti në kohën klasike. Shpjegim doktrinor dhe politik (Mille et une nuits, kol. Les quarante piliers, 2005), fq. 18.
(7) Theodor Haecker, Virgjili, Ati i Europës, (parathënie nga Rémi Brague, përkthyer nga gjermanishtja nga Claude Martingay, Ad Solem, 2007), fq. 74-75.
(8) Memec si peshk thotë Aleksandri, duke shtuar madje, si një troftë, bash kjo trofta që është e gjithë skena e fundit e “Rruga”: “Dikur kishte trofta përroi në male. Mund t`i shikoje të palëvizshme të ngritura në rrymën ngjyrë qelibari ku anësoret e bardha të fletëve valëzonin butësisht përgjatë ujit. Kishin një aromë myshku kur i merrje në dorë. Të lëmuara dhe me muskuj dhe të përkulshme. Në shpinën e tyre kishte vizatime me grumbuj pikash që ishin harta të botës në të ardhmen e saj. Harta dhe labirinte. Prej një gjëje që nuk do mund të bëheshin prapë. As të rregulloheshin. Në luginat e thella ku ato jetonin të gjitha gjërat ishin më të lashta se njeriu dhe murmurima e tyre ishte prej misteri”, fq. 244-5.
(9) Pierre Legendre, I sakrifikuari i Sakrificës, tekst i riprodhuar në libretin e prezantimit të filmit të Tarkovski tek botimet Arte Vidéo, fq. 8-10. Pikërisht ky Pierre Legendre shkruan diku: “nën një shikim antropologjik, ai [skenari antikrishtik i pseudo-Birit] ilustron çka është e paligjshme: zhdukjen e atit”, tek Drithërima e madhe. Përshkrimi i një fantazme në Tekstin e Perëndimit. Shënim shkruar anash faqes së librit, prathënia e Jean-Robert Armogathe, Antikrishti në kohën klasike. Shpjegim doktrinor e politik, vep. e cit. fq. 18.
(10) Kujtoj se Adhurimi i Magëve i Leonardo da Vinçit është tema e diskutimit mes Aleksandrit dhe Ottos.
(11) Cormac McCarthy, Rruga (Botimet l’Olivier, përkthyer nga François Hirsch, 2008), fq. 16.
(12) Megjithëse Rruga nuk është kurrsesi një roman i shkencë-fiksionit, siç është shkruar ngandonjëherë për këtë mjaft pa pikë lidhjeje, ai nënshkruhet megjithatë tek tradita e madhe, kryesisht anglo-saksone, e romaneve post-apokaliptike. Në ndryshim me librat të tillë si Murtaja flakëron e Jack London e publikuar në 1915 ose përsëri Toka mbetet (duke datuar i 1949) i George R.Stewart, dy klasikë të llojit, Rruga nuk saktëson arsyet që kanë provokuar shkatërrimin e mbarë planetit. Kjo karakteristikë e bën përshkrimin e botës së zbuluar nga babai dhe biri i tij shumë më madhështore dhe përqas në roman, me shqyrtimin që i bën, vlerën e një parabole.
(13) “Talku i zi dhe i butë fluturonte përmes rrugëve si boja e një likurishte që ua ndryshon drejtimin spiraleve të veta mbi një fund detar dhe i ftohti futej me shkathtësi nën lëkurë dhe errësira binte herët në mëngjes dhe plaçkitësit duke vrapuar kanioneve të thikta pishtarët e tyre në duar brimonin grumbujt e hirit të plasave të mëndafshta që mbylleshin në hapat e tyre po aq me qetësi sa disa sy”, fq. 157.
(14) Dyzet e pesë poezi të ndjekura nga Ringjallja, prezantim, përzgjedhje dhe përkthim i Yves Bonnefoy, Gallimard, kol. Poezi, Gallimard, 1999, fq. 60-61.
(15) Krh. Vep. e cit., fq. 147.
(16) Do të ishte megjithatë shumë më logjike për të qasur historinë e ngjallur tek Rruga me atë që McCarthy ilustron në vëllimin e dytë të Trilogjia e kufijve, Kalimi i madh, që na përshkruan bredhjen e dy vëllezërve mes Arizonës dhe Meksikës.
(17) Varrimi i trupave që është, për Virgjilin si për të gjithë Antikët e tjerë, gjesti i dashurisë dhe respektit më të shkëlqyer: “Që të më mbetet një mik për ta ngritur trupin tim nga fusha e betejës ose ta riblejë me monedha floriri, dhe t`ia besojë tokës”, a nuk është shkruar kështu në këngën IX të Eneidës.
(18) “Po nuk qe fjala e Zotit, Zoti nuk ka folur kurrë”, fq. 10.
(19) “Bota duke u takuar përreth një bërthame të egër entitetesh që mund të ndahen. Emri i gjërave duke ndjekur ngadalë këto gjëra në harrim. Ngjyrat. Emrat e zogjve. Gjërat për t`u ngrënë. Përfundimisht emrat e gjërave që i besonim të ishin të vërteta. Më të brishta nga ç`e kishin shkuar në mend. Sa kohë kishin tashmë të zhdukura? Idioma e shenjtë e prerë nga referentët e saj dhe si rrjedhojë nga realiteti i saj. Duke u mbledhur si një gjë që rreket të ruajë ngrohtësinë. Për t`u zhdukur përgjithmonë mbërritja e çastit”, fq. 80.
(20) “[…] tatuazhet e mëdha të gdhendura me ndihmën e kushedi çfarë dekokti artizanal dhe pothuaj të fshira në dritën e varfër të diellit. Merimanga, kordha, shënjestra. Një dragua. Slogane me germa runike, zanate mirëbesimi me gabime drejtshkrimi.
(21) Tek Sakrifica, Tarkovski filmon kështu gjatë duart e Aleksandrit që lan Maria.
(22) Cormac McCarthy shkruan madje: “ky bekim nuk është më pak real për të qenë i prerë nga origjina”, fq. 33.
Juan Asensio, shkrimtar, eseist dhe kritik letrar, autor i:
Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit, Paris, Bot. Cerf, 2010.
Mallkuar qoftë Andreas Werckmeister! , Arles, Bot. Nuit, 2008.
Letërsia në kundër-natë, Cluny, A Contrario, 2005, botim i ri, Paris, Bot. Sulliver, 2007.
Kritika vdes e re, Paris, Bot. Rocher, 2006.
Ese mbi veprën e George Steiner: Fjala dihat mbi pluhurin tonë, Paris, Bot. Harmattan, 2001.
Lien permanent | Tags : littérature, critique littéraire, virgile, énéide, andreï tarkosvki, le sacrifice, cormac mccarthy, la route, anila xhekaliu, revista pasqyra e te rrefyemit | | Imprimer